Izolimi nga koronavirusi, “Universal Pictures” sjell kinemanë në shtëpi

Nga A2 CNN
21 Mars 2020, 20:11 | Showbiz
Izolimi nga koronavirusi, “Universal Pictures” sjell kinemanë

Universal Pictures, studio e filmave, pjesë e gjigantit kinematografik NBC Universial,  ka vendosur t'i bëjë filmat e tij të disponueshëm në shtëpi në të njëjtën ditë kur ato shfaqin premierat në sallat e kinemave në mbarë globin. Vendimi i u mor për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës së konsumatorëve, karantinimi i të cilëve rritet paralelisht me përhapjen e Koronavirusit. Kështu, do të bjerë tradita e mbajtjes së një filmi ekskluzivisht në kinema për 90-ditë përpara se të shpërndahet atë në platforma të tjera.

NBC Universal po monitoron situatën dhe do të rishikojë strategjinë e saj në momentin që kjo gjendje do të ndryshojë. Mbrëmjen e 15 marsit, kryetarët e bashkive të Nju Jorkut dhe Loz Anxhelosit urdhëruan mbylljen e të gjitha kinemave si pasojë e shpërthimit të pandemisë.

Filmat më të fundit si “The Hunt”, “The Invisible Man” dhe “Emma” do të vihen në dispozicion nga kompanitë simotra, Sky dhe Comcast, në ekranet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara. Qytetarët amerikanë do të mund të shohin premierat e filmave më të fundit për vetëm 19,99 dollarë por  ky shërbim vlen për vetëm në formën e një qeraje për 48 orë. "Për të mos i vonuar këto filma e për të mos i shpërndarë në platforma të tjera, duam t’i japim mundësinë qytetarëve t'i shohin me më pak shpenzime dhe me më shumë komoditet", ishin fjalët e Shefit Ekzekutiv të  NBC Universal, Jeff Shell.

Nga e  premtja e javës së dytë të Marsit e deri tek e diela, shitjet në zyrat e filmave në Amerikën e Veriut arritën nivelet e tyre më të ulëta në më shumë se dy dekada, sipas Comscore. Kjo pasi shikuesit qëndruan në shtëpi dhe kinematë e ulën kapacitetin e ulëseve duke rritur distancën e sigurisë për ata që dëshironin të frekuentonin ende filmat në sallë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos