“E djeg mandatin, nëse inceneratori i Elbasanit është në punë”, Dash Sula sfidon qeverinë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2023, 12:14 | Politikë
“E djeg mandatin, nëse inceneratori i Elbasanit është

Deputeti demokrat Dashnor Sula ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të paraqitet në Kuvend për t’u përballur me deputetët e opozitës që kërkojnë interpelancë për çështjen e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Sula shkoi më tej në çështjen e inceneratorëve, duke deklaruar se djegësi i Elbasanit është vendosur në punë vetëm dy javë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit.

Për më tepër ai sfidoi mazhorancën, duke thënë se në qoftë se provojnë se inceneratori i Elbasanit punon, ai do të dorëzojë mandatin e deputetit.

Ju e keni tallur, fyer dhe keni qeshur me opozitën përgjatë këtyre 2-3 viteve për çdo denoncim me prova dhe fakte për inceneratorët. Problemi i inceneratorëve nuk është thjesht problemi i Arben Ahmetajt si përfitues. Është një skemë e pastër korruptive, financuese e qeverisë dhe PS për të mbajtur pushtetin. Pra, ideatori, inskenuesi dhe mentori që ka ngritur këtë sekmë, që kishte mendjen e mprehtë ishte Arben Ahmetaj si ministër i Financave. I cili përgatit këtë skemë që ndodhi se ju e keni të qartë që të mbani pushtetin, ju duhet para për të blerë votën e të varfërve. Së dyti i përdorët paratë e inceneratorëqve për ti mbyllur gojën mediave. Së treti keni blerë dhe njerëz e drejtues të opozitës vetëm e vetëm për të mos folur për të denoncuar skandalet. Pyetja është e drejtpërdrejtë për të gjithë deputetë e qarkut të Elbasanit. Unë ju sfidoj ju, mazhorancën, qeverinë, nëse inceneratori i Elbasanit ka punuar qoftë edhe një ditë pas 14 Majit, jap dorëheqjen. Punoj vetëm dy javë para 14 Majit për ti hedhur hi syve votuesve se u bënë mal plehrat në Elbasan, dhe nuk punon më inceneratori i Elbasanit”, tha Sula.

Deputeti i PD në fund theksoi se mazhoranca i trembet Arben Ahmetajt në arrati, pasi ka gjasa që ish-zv/kryeministri do të rrëfehet para organeve të drejtësisë.

Arben Ahmetaj u tregua burrë i zgjuar që iku. Se ai është tmerri juaj edhe në gjumë tani se ai i di të gjitha gjërat. Dhe do vijë dita, ora që do ti tregojë të gjitha gjërat. Po të gjithë do japin llogari kush ka futur duart te inceneratorët”, u shpreh ai.

Me deputetin Sula replikoi ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se ditën e nesërme do të incenerohen 90 ton mbetje në Elbasan.

Z. Sula, mos e digj mandatin kot, ose të paktën shko e digje nesër, kur do të digjen edhe 90 ton mbetje në impiantin e trajtimit të mbetjeve në Elbasan.  Po të duash shko edhe sot, por sot keni çështje tjetër. Ka qenë në punë. Vetëm mos na digjni “Flamurin” se ky na duhet. Por të tjerat digjini. Punon o Dash! Mos bëj premtime se ia ke marrë dorën kësaj që “e lëshoj mandatin”, “e lëshoj mandatin’”, tha Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos