Është mbyllur me akte dhune protesta e radhës e sindikatave të punonjësve kundër reformës së pensioneve, të cilës kësaj radhe iu bashkuan dhe aktivistët “jelekverdhë”.
Protestuesit që kundërshtojnë prej më shumë se 3 javësh reformën për pensionet të presidentit Emannuel Macron u përleshën ashpër me forcat e policisë, të cilët përdorën dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Protesta e sindikatave është përhapur në të gjithë vendin që në fillim të muajit dhjetor dhe ka shkaktuar probleme në transportin e udhëtarëve, madje ka mbyllur dhe shkolla.
Kësaj radhe, këtij manifestimi iu bashkuan dhe “jelekverdhët”, një lëvizje antiqeveritare, e cila shpërtheu vitin e kaluar kundër kostove tepër të larta të jetesës.
Policia përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve pranë zonave turistike, si muzeu i artit modern “Pompidou”, ku protestuesit tentuan të kalonin barrikadat dhe të sulmonin efektivët. Deri në këto momente raportohet se dhjetëra protestues janë arrestuar. (A2 Televizion)