
Policia e Uruguait sekuestroi 6 tonë lëndë narkotike, të llojit kokainë, në dy operacione të ndryshme në vend.
4.4 tonë kokainë e pastër u kapën të fshehura në 4 kontejnerë me miell soje në portin e Montevideos ndërsa sasia tjetër prej 1.5 tonë u gjet e fshehur në një fermë. Sipas autoriteteve, nëse lënda narkotike do të dilte në treg, ajo do të arrinte një vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh.
Kjo është sasia më e madhe e kokainës që është sekuestruar ndonjëherë në Uruguai, e cila vjen pas operacionit të muajit nëntor, ku u kapën 3 tonë kokainë, po në portin e Montevideos. Prej kohësh vendi është bërë një pikë kyçe tranziti për të transportuar drogën nga Amerika Latine drejt Afrikës dhe Europës.
Autoritetet ngritën dyshimet dhe kontrolluan kontejnerët me miell soje pasi kompania në fjalë asnjëherë më parë nuk kishte kaluar sasi kaq të mëdha të produktit të saj. Një zëdhënës i Marinës bën me dije se kontejnerët me lëndë narkotike do të ngarkoheshin në një anije të regjistruar në Itali. (A2 Televizion)