“Jelekverdhët” nuk ndalen, përleshje pranë “Harkut të Triumfit”

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2018, 15:04 | Bota

“Jelekët e verdhë” sfiduan thirrjet e qeverisë për të mos dalë në rrugë, duke u mbledhur në Champs Elize në fundjavën e pastë radhazi.

Përleshjet shpërthyen pranë “Harkut të Triumfit”, ku manifestuesit u përpoqën të thyenin barrierat policore.

Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës e dhjetëra persona u vunë në pranga. Disa dyqane e muze i ulën qepenat, por kulla Eifel dhe Luvri do të qëndrojnë të hapura.

Impakti i demonstratave ka qenë i madh, duke detyruar qeverinë të ndryshojë politikat e saj ekonomike. Presidenti Emanuel Macron, iu përgjigj kërkesave të “jelekëve të verdhë” duke anuluar rritjen e taksës së karburantit, duke premtuar rritjen e pagës minimale me 100 euro, e duke reduktuar taksat për pensionistët.

Por edhe pse disa pjesëtarë të lëvizjes mendojnë se hapat janë të mjaftueshme, të tjerët nuk duan të ndalin trysninë ndaj qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos