Furnizimi me ushqim dhe veçanërisht mundësia e një vakti të mjaftueshëm për një person është një nga sfidat më të mëdha të mijëvjeçarit të ri, në një moment kur Bota po i afrohet me hapa të shpejtë limitin e 8 miliardë banorëve.
Një mision gjithmonë e më i vështirë, por jo i pamundur, sipas rezultateve të një studimi 5 vjeçar të Potsdam Institute for Climate Impakt Research (PIK), një institut kërkimor gjerman, i cili sapo ka botuar studimin e tij në revistën Nature Sustainability.

Sipas tyre, aktualisht në planetin tonë vetëm 3.4 miliardë persona kanë mundësinë të ushqehen në mënyrë të balancuar me të paktën 2355 kilo kalori në ditë, pra më shumë se 60% e popullsisë botërore nuk ushqehet siç duhet.
Por për hulumtuesit ka ende mundësi për të rritur në mënyrë të ndjeshme këtë mundësi, edhe pse kjo nënkupton një rishikim i aktiviteteve bujqësore të deritanishme. Duke u bazuar tek teoria e 9 limiteve planetare të gjeofizikantit suedez Johan Rockstrom, hulumtuesit kanë përcaktuar që pengesat më të mëdha për të balancuar prodhimtarinë me qëndrueshmërinë në fushën bujqësore janë shfrytëzimi i tokës për kultivime intensive, si dhe fertilizimi dhe ujitja e tepërt që ka vënë në rrezik ciklin e ujit.

Zgjidhja? Kthimi në natyrë të tokave të kultivuara në zonat ku më shumë se 5% të specieve janë të rrezikuara, ripyllëzimi i tokave bujqësore aty ku më shumë se 85% e pyllit tropikal është prerë, si dhe zvogëlimi i ndjeshëm i azotit në fertilizuesit.
Në terma konkrete, dhe globale, aktivitetet bujqësore duhet të braktisnin tokat tejet të shfrytëzuara në Kinë dhe në Europën qendrore, për t’ u spostuar në veriperëndimin e Shteteve të Bashkuara, ose në Afrikën subsahariane, që kanë ende tokë të pa helmuar nga shfrytëzimi i tepërt.
(A2 Televizion)