Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me aksionin e zhvilluar ditët e fundit nga IKMT në disa qytete të vendit, për lirimin e hapësirave publike.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama ka paralajmëruar reforma të thella, si ajo për kontrollin dhe zhvillimin e territorit, shërbimin me ujë të pijshëm, furnizimin me naftë e barna, etj, shkruan A2 CNN.
Për tolerancën ndaj atyre që ai i cilëson si ‘toka të xanuna’, Rama fajëson edhe inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake, që sipas shefit të qeverisë, janë bërë pjesë e problemit.
Postimi i Ramës:
Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)