
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të distancohen nga regjimi i presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili sipas tyre po i financon dhe po kërkon luftë. Në një konferencë të jashtëzakonshme pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Kurti theksoi se Serbia kërkon destabilitet në rajon.
“Ftoj të gjithë serbët në Kosovë të punojnë, jetojnë e qeverisin bashkë me ne. Serbia dëshiron kthim në kohe lufte, ne dëshirojmë të ardhme demokratike prosperuese e europiane. Qytetarët serbë në Kosovë, nuk duhet të pranojnë të kthehen në kohë të shkuara. Kohërat e shkuara të ngelen në të kaluarën. Serbët e Kosovës duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe regjimi i Vuçiçit që po i financon dhe i drejton dhe po kërkon luftë në luftë. Ne jemi qeveria e paqes që dëshiron ta ruajë sigurinë pa dallim feje e etnie moshe e gjinie”.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë, për shkak të ambicies serbe pë cenim territorial dhe destabilitet të rajonit.
“Militarizimi ndër vite i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje. Ky militarizim i shoqëruar me ambicie, është kërcënim për të gjithë rajonin tonë. Ata duan ta cënojnë integritetin tonë territorial dhe të destabilizojnë gjithë rajonin. Më shumë vigjilencë e gatishmëri në institucionet e Kosovës në mënyrë që të mundësohet vendosja e paqes e sigurisë dhe ligjshmërisë e kushtetutshmërisë”.
Në konferencë e jashtëzakonshme së bashku me ministrin e Brendshëm Xhelal Svelça, Kurti e quajti të papranueshme situatën në veri të Kosovës dhe u bëri apel për bashkëpunim serbëve, ndërsa theksoi se paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit.
“Një situatë e tillë është e papranueshme për një shtet demokrat e europian ku sundimi i ligjit është i padiskutueshëm. Kemi republikë mbi qeverinë dhe kemi rregull të përbashkët mbi çdo politikë të pjesshme. Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunim me serbët e Kosovës të cilët kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë. Komuniteti serb të marrë pozitat që iu takojnë në shtetin tonë, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të marrim bashkë vendimet. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë Serbia përmes grupeve kriminale dhe mungesës ë ligjit në veri po mban peng qytetarët serbë ne do të veprojmë me kujdes. Kemi toleruar shtyrjen disa herë të zbatimeve të vendimeve tona. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim se nuk heqim dorë nga ligjshmëria dhe kushtetutshmëria dhe detyrimet që kemi. Paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë”. (A2 Televizion)