Jeta në një dhomë 4 metra katrorë

Nga A2 CNN
22 Shtator 2020, 15:21 | Sociale
Jeta në një dhomë 4 metra katrorë

Një dhomë jo më shumë se katër metra katror, është strehëza e familjes Pjetri në rrethinat e Elbasanit, në zonën e quajtur si prita e Zaranikës. Burrë e grua përpiqen të mbijetojnë me pagën e kempit të bashkëshortes dhe ato pak lekë që bashkëshorti arrin t’i sigurojë duke ruajtur lopët.

Sikur të mos mjaftonte varfëria, këtë familje e kanë goditur edhe sëmundjet dhe operacionet që i kanë bërë djalit 10-vjeçar. Në pamundësi për të paguar dritat dhe ujin, këto dy shërbime jetike i marrin falë dashamirësisë së fqinjëve.

Por ajo që e mundon më shumë Sofien, gruan e shtëpisë, është pamundësia për t’i plotësuar nevojat dhe jo dëshirat e djalit të saj në klasën e pestë. Djali ecën përgjatë rrugës së pashtruar për të shkruar në shkollë, dhe në kohë me shi vjen gjysmë i lagur. Ndërsa mësimet, ngrënien dhe gjumin e bëjnë në të njëjtën dhomë, ku është e vështirë edhe të rrotullohesh vetëm dhe jo më me persona të tjerë.

Teksa sheh nënën që mundohet, djali i familjes Pjetri nuk gjen forcë për të folur, por mes lotësh kërkon një banesë si gjithë fëmijët e tjerë. E ndërsa kjo familje përpiqet çdo ditë të mbijetojë, jo më larg se 2 km kilometra nga qendra e Elbasanit, autoritetet lokale deri tani kanë qenë inekzistente për këtë familje të varfër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos