Pritja e gjatë për rindërtimin, dy tërmetet e lanë pa shtëpi, bonusi i qirasë nuk mjafton kur je i papunë

Nga A2 CNN
21 Shtator 2020, 15:10 | Sociale
Pritja e gjatë për rindërtimin, dy tërmetet e lanë pa

Prej afro 10 muajsh familja e Xhelal Çikës nuk jeton në banesën e vet. Ai është banor i një pallati në Kombinat, një prej lagjeve më të dëmtuara nga dy tërmetet e vitit që shkoi në kryeqytet. Xhelali thotë se pas tërmeti të 21 shtatorit riparimet duheshin kryer menjëherë, por goditja e 26 nëntorit e bëri godinën të pabanueshme.

“Në dy tërmetet pata dëme në suvatime. I riparova vetë. Përhapën panik që do i shembin. As i shembën as nuk na lënë të hyjmë brenda”.

Qeveria i ka dhënë bonus, por ai është më i ulët se qiraja që duhet të paguajë, ndërkohë vetë është i papunë. “Bonusi 220 mijë lekë, shtëpia bën 250 mijë lekë”, thotë Xhelal Çika.

Kryetari i Njësisë Administrative nr.6, Adriatik Merko, thotë për A2 se nga tërmeti i 21 shtatorit përfituan mbi 600 familje. “U shpërndanë bonuse për riparime, por na gjunjëzoi 26 nëntori”.

Aktualisht, rindërtimi në Kombinat nuk ka nisur, ndërsa banorët e pastrehë vijojnë të mbeten me qira. Në Kombinat, banorët janë të lodhur nga pritja e gjatë e rindërtimit, ata kërkojnë të rikthen në shtëpitë e tyre ose të pajisen me banesa të reja po në të njëjtën zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos