
Muaji maj kaka çelur sezonin e mbjelljes së prodhimeve bujqësore në juglindje. A2 CNN vëzhgoi fshatin Pocestë në Maliq, ku banorët vendas krahas infrastrukturës së dobët, përballen prej shumë vitesh edhe me mungesën e ujit për vaditje. Produktet bujqësore janë e ardhura kryesore dhe e vetme për familjet e tyre.
“Kemi mbi 15 vite pa ujë”, thotë një banor. “Rezervuari është, ujë ka të bollshëm, por nuk administrohet në mënyrë të rregullt”, thotë një tjetër.
Kostoja e shërbimeve për të mbjellat është mjaft e lartë për këta banorë, ku përveç punimeve dhe plehrave kimike, duhet të investojnë dhe për të sjellë ujin në parcela, investime të cilat zor se mund të dalin nga shitja e prodhimeve bujqësore.
“Kemi investuar vetë, kemi hapur sonda. Të ardhurat kryesore vijnë nga emigracioni, këto janë vetëm për të ngrënë bukë”, thotë një tjetër bujk.
Pocesta ndodhet vetëm 6 km larg Maliqit, dhe ndonëse njihet si një zonë që ka njerëz punëtorë dhe toka të mira për mbjellje, mbështetja e strukturave shtetërore për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve është thuajse inekzistente. (A2 Televizion)