Jo vetëm energjia, edhe eksportet në krizë

Nga A2 CNN
17 Qershor 2019, 18:18 | Ekonomi
Jo vetëm energjia, edhe eksportet në krizë

20.3 milionë euro më pak mallra janë eksportuar gjatë muajit maj, duke shënuar një rënie të ndjeshme prej 8.2% krahasuar me një vit më parë.

Ndryshe nga fillimi i vitit, ku rënia e eksporteve lidhej thuajse tërësisht me prodhimin e energjisë elektrike, kriza tashmë është shtrirë edhe në sektorë të tjerë të prodhimit, si fasonët, eksporti i materialeve të ndërtimit e metaleve, si dhe të produkteve bujqësore e ushqimore.

Ndër partnerët kryesorë tregtarë, Shqipëria regjistron rritje të shitjeve vetëm drejt Kosovës, ndërsa drejt Spanjës, Italisë dhe Gjermanisë ka një fluks më të ulët eksportesh.

Nga ana tjetër, vlera e importeve u rrit me 3.8% gjatë muajit Maj, ndikuar nga nevoja e vendit për të plotësuar kërkesën për energji elektrike. Në total, importet arritën në 58.9 miliardë lekë, kundrejt 27.6 miliardë lekë eksporte.

Si pasojë, deficiti tregtar është thelluar ndjeshëm. Duke analizuar ecurinë e grupmallrave të tjera që importohen në vend, vihet re rritje vetëm në grupin e tekstileve dhe këpucëve, zakonisht lëndë e parë për industrinë fason, si dhe në grupin materiale ndërtimi dhe metale.

Të gjitha grupet e tjera regjistrojnë rënie, veçanërisht grupet makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, si dhe ushqime, pije, duhan. Kjo tregon se konsumi në vend është tkurrur, ndërsa sipërmarrja po ngurron të zgjerohet dhe të investojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos