
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e ftuar në A2 CNN, komentoi vendimet e fundit të qeverisë, por edhe situatën e brendshme në PD, si dhe ambiciet personale. Ajo komentoi vendimet e paketës së rezistencës të zyrtarizuara nga qeveria si diçka jo të re.
“Ky është vendim që thjesht formalizon vendimet e njoftuara. Paketa e dytë nuk ekziston, por ka një ndryshim buxheti që përfshin vetëm disa kategori, me rritje vetëm për 20 mijë persona, ndërkohë që të tjerët lihen në mëshirë të fatit”, thotë Tabaku, që u përqendrua edhe te vendimi për amnisti fiskale.
“Amnistia fiskale është e dëmshme dhe e rrezikshme jo vetëm për procesin e integrimit, sepse kur çdo politikë duhet të kishte një emërues të përbashkët integrimin, ne marrim vendime që i shkojnë kundra. Nuk ka asnjë emigrant shqiptar që ka 2 milionë euro poshtë jastëkut, këtu favorizohet kriminaliteti” , ishte mendimi i saj.
Tabaku foli edhe për situatën në përfshirën një fazë auditi për sjelljen e ish-kryetarit Lulzim Basha dhe akuzën për financim nga burime që lidhen me Rusinë.
“Nuk ka asgjë të keqe të ngresh një grup pune, por po dëmtohet vetë PD-ja. Kam qenë e para që ka thënë që drejtësia të hetojë, por po i japim material kundërshtarit për të folur, me persona që e kanë mbrojtur në 2017 dhe e sulmojnë tani. Shpifje dhe balta e brendshme po dëmton partinë”, u shpreh ajo.
Për sa i përket zgjedhjeve lokale që po afrohen, Tabaku mendon se "opozita duhet të dalë me ofertën më të mirë të mundshme, me kandidatë të pakorruptuar dhe pa të kaluar kriminale, me aspirata euroatlantike, për të cilët kundërshtarët mos të kenë asgjë për të thënë.
Opozita bëhet me persona që nuk kanë asgjë në shpinën e tyre, PD-ja duhet të jetë më shumë sesa ç’është për momentin, duhet të jetë dora që bashkon dhe jo përçarëse.
Por a ka Jorida Tabaku ambicie për drejtimin e kryeqytetit? “Ambicia ime e vetme për Tiranën është ikja e Erjon Veliajt, shumë persona në të mirë e të keqe janë përpjekur, por nuk ka model më të keq se ai i Veliajt. Jam në Parlament, do vijojë të jem aty dhe nuk kam dëshirë për t’u rikthyer në bashkinë e Tiranës, ku kam qenë”. (A2 Televizion)