“Ju shfarosim nëse na sulmoni”, Koreja e Veriut kërcënon Jugun me armë bërthamore

Nga A2 CNN
5 Prill 2022, 15:43 | Bota
“Ju shfarosim nëse na sulmoni”, Koreja e Veriut

Koreja e Veriut kërcënon Jugun me armë bërthamore. Motra e fuqishme e diktatorit Kim Jong Un, tha se Peniani është kundër luftës, por nuk ngurroi të paralajmëronte pasoja shkatërruese për Seulin. Kim Yo Jong, zyrtare e lartë në qeveri dhe partinë sunduese, tha se ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut bëri një gabim shumë të madh në deklaratat e fundit, ku përmendi një sulm ndaj Veriut. Fjalët e motrës së diktatorit i lexoi spikerja e medias publike të Koresë komuniste.

“Ne jemi kundër luftës. Por nëse dy ushtritë luftojnë njëra-tjetrën, i gjithë kombi Korean do të pësojë një katastrofë siç ndodhi gjysmë shekulli më parë dhe mund të jetë edhe më e tmerrshme se aq, pavarësisht se cila palë do të fitojë apo humbasë në një luftë apo betejë. Nëse Koreja e Jugut zgjedh një konfrontim ushtarak me ne, forca jonë luftarake bërthamore në mënyrë të pashmangshme do të bëjë punën e saj”

Deklarata e Kim Yo Jong, motra e diktatorit koreano-verior Kim Jong Un

Ministri i mbrojtjes i Koresë së jugut, Suh Wook, tha se ushtria e vendit të tij ka një shumllojshmëri të raketave me rreze shënjestrimi të përmirësuar ndjeshëm në saktësi dhe fuqi, me aftësinë për të goditur shpejt çdo shënjestër në Korenë e Veriut. Në reagimin e parë ndaj kësaj deklarate, Kim kërcënoi se nëse ushtria e Seulit shkel qoftë edhe vetëm një centimetër të territorit të Koresë së Veriut, do të përballet me shkatërrim të paimagjinueshëm. Kjo vjen teksa Peniani është bërë më aktiv në testet raketore. Pak javë më parë lëshoi atë që konsiderohet “raketa përbindësh”, një armë interkontinentale e aftë të mbajë një kokë bërthamore dhe të godasë kudo në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos