Juve-Napoli do të luhet, De Laurentiis: Napoli ndjek rregullat

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 19:52 | Futboll
Juve-Napoli do të luhet, De Laurentiis: Napoli ndjek rregullat

“Jemi të lumtur. Jetojmë në një vend ku ata që respektojnë ligjet nuk mund të dënohen. Dhe Napoli gjithmonë ndjek rregullat”.

Ky ishte reagimi i presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis, menjëherë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Komitetit Olimpik Italian, e cila përmbysi dy vendimet e Gjykatës Federale dhe Gjykatës Sportive të Apelit, të cilat kishin lënë në fuqi fitoren 3-0 në tavolinë për Juventusin ndaj Napolit.

Me ndryshimin e situatës, Napoli rikuperon edhe një pikë të hequr në renditje, pasi klubi nuk u paraqit në Torino për sfidën, pasi nuk u lejua nga autoritetet rajonale të udhëtonte, për shkak të pandemisë koronavirus.

“Ishte një vendim historik, shkalla e tretë përmbysi dy të mëparshmet. Ishte rezultat i një drejtësie të madhe që rivendos që ndeshja të luhet në fushë. Ju nuk mund të rrezikoni shëndetin për të luajtur një ndeshje futbolli”, tha avokati Mattia Grassani.

Hipoteza për datën kur mund të riluhet sfida është 13 janari, duke shtyrë ndeshjet e Kupës së Italisë, ku skuadrat janë të angazhuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos