Juventus bën paqe me UEFA, heq dorë nga Conference League

Nga A2 CNN
23 Qershor 2023, 15:02 | Futboll
Juventus bën paqe me UEFA, heq dorë nga Conference League

Juventus dhe UEFA bëjnë paqe. Me bardhezinjtë që hoqën dorë nga krijimi i Superligës së Europës, palët janë ulur në tryezën e diskutimeve, për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe për të ecur përpara.

Një delegacion i avokatëve të klubit u takuan me përfaqësues të konfederatës së futbollit, për të gjetur zgjidhjen rreth shkeljes së pretenduar të fashikullit për marrëveshjen e vitit 2022, ku italianët akuzoheshin për licencim të parregullt dhe thyerjen e rregullave të Fair Play Financiar.

Takimi që nisi si testim i situatës rezultoi mjaft pozitiv, aq sa doli edhe hipoteza e arkivimit të akuzave, pa marrë asnjë masë ndëshkimore. Në këmbim Juventusi duhet të heqë dorë nga pjesëmarrja në edicionin e ri të Conference League, ku u kualifikua pavarësisht penalizimit me 10 pikë në kampionat.

Për momentin janë thjesht spekulime dhe nuk ka asnjë vendim zyrtar, por sinjalet e para u dhanë nga UEFA. Emri i Juventusit nuk u përfshinë listën e skuadrave pjesëmarrëse në Conference League. Më pas, organi që drejton futbollin europian saktësoi se bëhej fjalë vetëm për një gabim njerëzor. Por, aq mjaftoi që të hidheshin dyshimet e para se kjo i paraprin asaj që do të ndodhë.

Të mësuar në arenën e madhe të futbollit, te Juventusi do të hiqnin dorë me dëshirë nga turneu i tretë për nga rëndësia. Kjo do të bënte që ekipi të përqendrohej vetëm te kampionati dhe në kupë, për tu rikthyer në Champions League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos