Pas fitores 2-1 në fundjavë kundër Fiorentinës, Juventus fitoi titullin e tetë rresht kampion në Serie A, por prej vitesh tashmë pengu i sezonit mbetet Champions League. Me mbërritjen e Cristiano Ronaldos në verë bardhezinjtë menduan se kishin bërë “modifikimin” e duhur për ta fituar “kupën me vesh të mëdhenj”, por humbja në shtëpi ndaj Ajax i zbriti përsëri me këmbë në tokë.
Trofeu europian i mungon torinezëve prej vitit 1996 dhe është objektivi i vetëm që klubi ka, pas dominimit në kampionat. Por Ronaldo nuk mjafton dhe këtë e ka kuptuar edhe vetë portugezi. Sipas “The Mirror”, ai i ka dorëzuar klubit një listë me pesë emra, të cilët i dëshiron t’i ketë sezonin e ardhshëm si shok skuadre, për të fituar Champions League

I pari është bashkëkombësi i tij Joao Felix, talenti i ri i Benfica-s që vlerësohet të kushtojë mbi 120 milionë euro. Ai gjithashtu dëshiron të ribashkohet me dy prej shokëve të skuadrës te Real Madrid, Isco dhe Raphael Varane, ndërsa i ka lënë mbresa edhe kapiteni 19-vjeçar i Ajax, Matthijs de Ligt, për të cilin interesohen gjithashtu emra të mëdhenj të futbollit europian.

Dy lojtarët e tjerë të përfshirë në listën e dëshirave të Ronaldos janë mbrojtësi i Roma-s, Kostas Manolas dhe mesfushori tepër i vlerësuar i Lyon, Tanguy Ndombele.
Se sa do të mundet Juventus t’ia plotësojë dëshirën, kjo mbetet për t’u parë, por me largimin thuajse të sigurt të Paolo Dybala, klubi mendohet të sigurojë të ardhura shtesë për t’u shpenzuar në merkato. (A2 Televizion)
