Juventus në krizë, bardhezinjtë komplikojnë titullin

Nga A2 CNN
16 Korrik 2020, 08:31 | Futboll
Juventus në krizë, bardhezinjtë komplikojnë titullin

Juventus është në krizë në Serie A dhe këtë e vërtetoi ndalesa e radhës, këtë herë përballë Sassuolos.

Bardhezinjtë nuk arritën të ruanin avantazhin prej dy golash, duke barazuar 3-3 në Mapei Stadium. U duk se “Zonja e Vjetër” do të arrinte lehtë të tre pikët kur Danilo dhe sulmuesi Higuain shënuan dy herë brenda 12 minutave.

Megjithatë, reagimi i Sassuolos është për t’u duartrokitur. Me aksione të rrjedhshme dhe pasa të saktë drejt portës, vendasit përmbysën rezultatin me 3 gola. Fillimisht Djuricic, më tej Berardi nga goditja e dënimit e Kaputo kaluan në avantazh Sassuolon. Juventus reagoi sërish, por nuk arriti më shumë se një barazim, falë golit të Sandros, por edhe për shkak të pritjeve të jashtëzakonshme të portierit.

Torinezët gabojnë kështu për të tretin takim me radhë, duke dhënë sinjale të qarta të një rënie të lojës së tyre, aq më tepër kur po i afrohen edhe takimit përballë Lion në Champions League.

Ndërkohë, kriza është prezente edhe te Lazio që nuk fiton prej 4 takimesh, ndërsa barazoi edhe përballë Udineses. 1 pikë mori edhe Napoli përballë Bolognas, ndërsa Milan dhe Roma arritën të sigurojnë fitore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos