
Myrto Uzuni bën një hap të rëndësishëm në karrierë. Ylli i Kombëtares shqiptare transferohet te kampionët e Hungarisë, Ferencvaros. Marrëveshja është arritur dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi hungarez që ka fituar më tepër tituj.
Pas dy sezoneve të shkëlqyera te Lokomotiva e Zagrebit, 25-vjeçari kuqezi do t’i bashkohet ekipit nga Budapesti, që pagoi 1,8 milionë euro për kartonin. Edhe pse pritet që në orët në vazhdim të realizohen vizitat mjekësore dhe formalizimi i transferimit, Ferencvaros vendosi ta lejojë futbollistin shqiptar të mbyllë sezonin në Kroaci, ku ka për të luajtur edhe dy ndeshje të kampionatit dhe finalen e Kupës me Lokomotivën.
Nga shifra e përgjithshme e transferimit përfiton edhe klubi i Laçit, që duke ruajtur 20% të kartonit të sulmuesit, do të marrë 360 mijë euro. Uzuni do të firmosë kontratë 4-vjeçare me Ferencvaros, nga e cila do të përfitojë 1,2 milionë euro rrogë. Një shifër e konsiderueshme, për një futbollist që vetëm tre vjet më parë luante në Kategorinë Superiore, duke u cilësuar si një prej talenteve më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. (A2 Televizion)