
Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjasin afatin e emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor. Përmes një urdhri ekzekutiv, presidenti Joe Biden, i kërkon Kongresit që të marrë veprimet e nevojshme që kjo masë të vijojë të jetë në fuqi edhe përtej 26 qershorit të këtij viti, pasi ka ende individë që kërcënojnë paqen në rajon.
Aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet penguese, si dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, të cilat pengojnë progresin drejt qeverisjes efikase dhe demokratike, por edhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, të nënvizuara në këto Urdhra Ekzekutivë, vijojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Joe Biden, President i SHBA
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën gjendjen e emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor, për herë të parë më 26 qershor të vitit 2001. Që prej asaj periudhe, kjo masë është zgjatur vazhdimisht.
Kjo vjen pasi emisari i posaçëm i Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi se kriza e shpërthyer në veri të Kosovës mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.
Në Uashington bashkë me të ishte edhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian në dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, i cili në Këshillin e Atlantikut tha me shqetësim se nëse palët nuk ulin tensionet për t’ju kthyer bisedimeve, në terren mund të ketë edhe viktima. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, Lajçak është takuar edhe me nënsekretaren e shtetit, Victoria Nuland.
Numri dy i diplomacisë së SHBA-së në deklaratën e saj lëshoi thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të nisin me zbatimin e zotimeve të bëra në Ohër. Gjithashtu, Nuland shpreh mbështetje për planin tre pikësh të Bashkimit Europian për dalje nga kriza në Veri, ku përfshihen mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat e kontestuara, qetësimi i situatës dhe pjesëmarrja e serbëve. (A2 Televizion)