Serbia refuzon zyrtarisht ftesën e Bashkimit Evropian për takim urgjent lidhur me zgjidhjen e krizës me Kosovën. Njoftimin e bëri vetë presidenti Aleksandër Vuçiç, gjatë këshillit strategjik për bashkëpunim me Hungarinë.
Ai tha se nuk do të ulet në një tryezë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa të lirohet çdo serb i arrestuar dhe pa u dorëhequr të katër kryetarët e komunave veriore.
Në një konferencë për shtyp bashkë me kryeministrin hungarez Viktor Orban, presidenten e atij shteti, Katalin Novák, dhe kryeministren e tij Ana Brnabiç, Vuçiç nënvizoi se në 11 vite dialog në Bruksel ka marrë pjesë në të gjitha takimet.
“Gjithmonë kemi dashur të arrijmë kompromise për të ruajtur paqen. Ne ia dolëm dhe përparuam më shpejt. Besuam se e gjithë kjo ishte e mundur derisa në pushtet erdhi Kurti, i cili kurrë nuk donte të fliste... Ai kurrë nuk donte të dëgjonte... Më lejoni t'ju them, unë nuk fle natën, nuk i kam thënë askujt çfarë kërcënimesh i janë dërguar Serbisë nëse nuk lirojmë shqiptarët e arrestuar.”
ALEKSANDËR VUÇIÇ, PRESIDENT I SERBISË
Një kërkesë, në formën e një këshille, për lirimin e 3 policëve të Kosovës të rrëmbyer i erdhi edhe nga miku i tij.
“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandër, të mendoni mirë për këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për t'ju dëmtuar dhe kjo është një situatë e tillë, për të cilën mendoj se do të ishte mirë për ju që të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë dhe t'i ktheni ata tre shqiptarë në Kosovë.”
VIKTOR ORBAN, KRYEMINISTËR I HUNGARISË
Vuçiç anashkaloi përgjigjen për këtë kërkesë, por adresoi shqetësimet për keqtrajtimin e policëve të Kosovës, të cilëve iu shqiptua masa e paraburgimit për 30 ditë në Kralevë.
“Ata atje hanë rrush, ëmbëlsira, pinë Coca-Cola dhe asgjë nuk u mungon.”
ALEKSANDËR VUÇIÇ, PRESIDENT I SERBISË
Viktor Orban ndër të tjera tha se e përcjell me shumë vëmendje situatën në Kosovë dhe kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për pranimin si të ligjshme të zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.
Presidentja hungareze, ndërkohë, nënvizoi se vëmendja e drejtuar nga Ukraina nuk duhet të çojë në një situatë ku Europa harron atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)


