“Ekipi i LaCivita, pa diskutim ekipi më serioz i botës, me eksperiencën më të jashtëzakonshme”.
Pavarësisht se i ashtuquajtur magjistar prej tij në fushatë nuk arriti që ta çonte magjinë deri në fund, t’i sillte në pushtet, Sali Berisha vlerëson punën e strategut amerikan të fushatave, Chris LaCivita.
Një ditë pas zbulimit të shumës 1.67 milionë Dollarë që LaCivita mori nga Partia Demokratike, për Berishën pagesa është mëse normale.
“Bëri më të mirën e mundshme. Dhanë një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar. Organizuan një fushatë që shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë. Por ekipi i tyre nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare të vendosur në Shqipëri nga Edi Rama”, tha Berisha.
Rezultatin e 11 majit, lideri demokrat nuk ia faturon strategut amerikan, por Edi Ramës, duke renditur edhe shkeljet që sipas tij nga ndodhur para dhe gjatë fushatës elektorale.
“Në Shqipëri nuk ka zgjedhje, ka farsë. Prandaj beteja vazhdon, kjo është betejë në vazhdim. Ka pasur një betim solemn tonin, do mbrojmë votën dhe ne kemi mbrojtur votën në mënyrën tonë”, shtoi Berisha.
Sa i përket progres raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Berisha tha se ende nuk ishte në duar, por sërish kishte një qëndrim.
“Përveç kriterit gjeostrategjik, Shqipëria në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë kriter tjetër. Ne kemi bërë të pamundurën të informojmë institucione të BE-së, në mënyrë veçantë parlamentin. Por edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve partnere për zhvillimet në Shqipëri”, deklaroi kreu i demokratëve.
Gjatë konferencës për median, Berisha u pyet edhe për problemet brenda demokratëve, ku së fundmi Bujar Leskaj ka dhënë dorëheqjen si drejtues politik i qarkut Vlorë. (A2 Televizion)
