
“Në 5 vitet e fundit, zgjerimi nuk ka ecur përpara. Serbia ka 10 vite që po lufton për integrimin dhe ka rrëshqitur në autoritarizëm. Shqipërisë, Maqedonisë nuk po i hapen negociatat. Kosova është aty ku është. Bosnja bëhet çdo ditë edhe më keq. Për këto arsye nuk jam optimist për Macron-in për 5 vitet e ardhshme kur shoh 5 vitet e shkuara”.
Kështu e komentoi Gjergji Vurmo, hulumtues nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, rizgjedhjen në krye të Francës të Macron dhe ndikimin e tij në procesin e zgjerimit të BE-së.
Ndërkohë, Vurmo theksoi më tej se ka vende në BE që vendimet i marrin nën trysni të madhe nga Rusia.
“Për momentin Serbia nuk ka as pse të ndryshojë drejt politikave të saj mbi Rusinë dhe BE-në. Nuk besoj se do të ketë ndryshime në këtë drejtim. Serbia nuk ka arsye për të ndryshuar kur sheh edhe vende anëtare të BE-së që janë edhe nën kthetrën e Rusisë. Pse duhet të ndryshojë Serbia?!
Ne kemi vende anëtare të BE, të cilat, vendime të caktuara të tyre merren në një trysni dhe presion të fortë të interesave ruse”, kështu u shpreh Gjergji Vurmo. (A2 Televizion)