
Kadastra nuk ka funksionuar si një institucion për t’i shërbyer qytetarëve, por për vite më radhë sipas Kryeministri Edi Rama ka shërbyer si një fole korrupsioni dhe qokash politike, duke pranuar dështimin e Qeverisë në menaxhimin e këtij këtij institucioni.
“Situata më katastrofike në Evropë. Aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni duke e penguar Kadastrën të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurtë e shqiptarëve”.
Për këtë fajtorë Edi Rama bën edhe njerëzit e tij, që me influencën e pushtetit kanë inponuar vendime, emërime nga punonjësi i thjeshtë e deri tek drejtuesit e Kadastrës. Disa prej tyre ua tha duke i parë në sy por pa përmendur emra konkretë.
“Kadastra është penguar nga ju, deputetë, ministra dhe kryetarë bashkish duke e penguar që të funksionojë si një bankë e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve. Nuk e di a u vjen juve, por mua më vjen turp”.
Turpin për abuzimin e pushtetarëve të majtë me pronat e shqiptarëve, Rama e shleu me një falje publike.
“Kokëulur ju kërkoj ndjesë në emër të PS për të gjithë ata që kanë kaluar avari me pronat e tyre, ndjesa e një kryetari partie fajtore, jo e gjithë partia por udhëheqja e saj”.
Për të zhdukur korrupsionin, vendosi që të mbyllë sportelet fizike dhe të hapë një dritare online në e-albania.
“Që nga 3 korriku Kadastra do të jetë online. Një punonjësi të Vlorës sipas algoritmit do t’i duhet të trajtojë një dosje të Tropojës ose Delvinës, por jo të Vlorës”.
Përtej ndjesës së tij publike, Rama tha se priste dorëheqje masive nga stafi i Kadastrës. Mbetet për t’u parë nëse akuzat e tij për nepozitëm dhe korrupsion, do të jenë objekt i hetimeve të organeve të drejtësisë. (A2 Televizion)