
Partia Demokratike ka reaguar pas kallëzimit penal të nënshkruar nga Presidenti Meta në drejtim të kryetarit të KED, Ardian Dvorani.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thotë se ky është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.
“Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Bardhi. “Partia Demokratike beson se një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit te drejtësia”.
“Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit”, shtoi ai. (A2 Televizion)