Presidenti Ilir Meta nënshkruan kallëzimin penal për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. “Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”, shkroi Meta në Facebook, duke postuar fotot e nënshkrimit të dokumentit.
“Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese”
Pjesë nga kallëzimi i Presidentit
Në dokumentin e kallëzimit penal Presidenti del në përfundimin se “Dërgimi njëkohësisht i dy listave nga i akuzuari Ardian Dvorani për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 8 tetor 2019 dhe dërgimi njëkohësisht i dy listave për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit të Shqipërisë në datë 14 tetor 2019, në shkelje të hapur të radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 8577 date 10.02.2000, dhe të ligjit nr. 115/2016, janë veprime të ndërgjegjshme kriminale dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.
Presidenti konsideron si kriminale dhe të rrezikshme për rendin kushtetues dërgimin e vendimeve për botim në Fletoren Zyrtare nga ana e Dvoranit, “me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016”.
Presidenti gjithashtu i rekomandon Prokurorisë, “të sekuestrojë menjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallëzim. Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm”. (A2 Televizion)