“Kandidatët e PS, shalqi me provë”, Rama qytetarëve në Mallakastër: Vetëm me ne mund të ecni para

Nga A2 CNN
25 Prill 2023, 13:39 | Politikë
“Kandidatët e PS, shalqi me provë”, Rama qytetarëve

Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar ditën e sotme me mbjelljen e pemëve në kuadër të fushatës politike për zgjedhjet e 14 majit në Mallakastër.

Në takimin me qytetarët, Ramën e shoqëronte kryetari aktual i Bashkisë, Qerim Ismailaj, i cili garon për një mandat të radhës, si dhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Fierit, Taulant Balla.

Edhe në këtë takim elektoral, kreu i qeverisë nuk ngurroi që të sulmonte dy kundërshtarët e tij politikë Sali Berishën dhe Edi Ramën, duke vijuar krahasimin që bën prej ditësh me heqjen e apendicitit.

Duke përdorur fjalët e zgjedhura për sloganin e kësaj fushate, kreu i socialistëve, Rama u tha qytetarëve se gjithnjë kur demokratëve u ka rënë pushteti në dorë, “vendi ka bërë vetëm pas.”

“Sa herë na është dhënë ne mundësi, vendi ka bërë para. Së bashku duhet të godasim zorrën qorre të Shqipërisë më 14 maj”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa u kujtoi qytetarëve se kandidatët e PS-së janë “shalqi me provë”, Rama vijoi t’u kujtojë demokratëve se në fletën e votimit më 14 maj, do të kenë emrin e Ilir Metës, si drejtues të koalicionit opozitar.

Qerimi është shalqi me provë. Ka dhe një shalqi më të madh me vete në Tiranë që është po me provë. Të diskutosh zgjedhjen mes kandidatëve tanë dhe kandidatëve të zorrës qorre, është të mos jesh në rregull. Nuk po shkon në stadium.”

Sipas Ramës, PS-ja është e vetmja forcë që mund ta çojë vendin përpara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos