
Policia Kufitare në Morinë ka ndaluar përkohësisht me qëllim ekstradimi një shtetas nga Kosova, i kërkuar nga drejtësia franceze.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, shtetasi B. R, 44 vjeç, banues në Doberçan të Kosovës rezultoi se ishte i kërkuar në Francë për disa vepra penale.
Tribunali Gjyqësor i Mulhouse në Francë ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vjedhja me dhunë" dhe "Grup i strukturuar kriminal".
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Francës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957. (A2 Televizion)