Karburantet, qytetarët ankohen, Inspektorati: Tregu i kontrolluar

Nga A2 CNN
23 Gusht 2019, 16:25 | Ekonomi
Karburantet, qytetarët ankohen, Inspektorati: Tregu i kontrolluar

Prej disa javësh, tatimet dhe institucionet e tjera kanë zbarkuar në tregun e karburanteve për kontrollet e cilësisë dhe pagesës së taksave. Një nismë që sipas shtetit synon ta vendosë këtë sektor në shinat e rregullsisë, teksa qytetarët ndihen të pasigurt për produktin që marrin kundrejt një çmimi që aktualisht për litër është ndër më të lartit në Europë.

“Unë nuk kam besim, cilësia e karburantit është shumë e keqe, boll të shkosh jashtë”, thotë një qytetar.

Sipas një investigimi mbi cilësinë e karburanteve në vend nga Qendra për Gazetari Cilësore, rezultoi se mostrat e produktit të shitur në vend ishin ndjeshëm më të dobëta se vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia.

Inspektorati: Tregu i kontrolluar dhe me standarde

Përkundrejt akuzave të qytetarëve, institucionet shtetërore, ato që janë përgjegjëse për garantimin e cilësisë së naftës që hidhet sot në treg japin siguri.

https://www.youtube.com/watch?v=dUDgwfa6BSU&feature=youtu.be

Në një intervistë për A2 CNN Ahmet Shehu, kreu i drejtorisë së inspektimit të naftës dhe gazit, shpjegon se nga mostrat e marra në pikat e karburanteve rezulton se nafta dhe benzina janë brenda standardeve për tregtim. “Vetëm për këtë periudhë janë marrë më shumë se 1500 mostra, dhe ai rast ishte për të cilin flitet pa zhdoganim, dhe nuk ishte hedhur në treg”, thotë Shehu.

Teksa pohon se karburantet që tregtohen sot janë në pjesën dërrmuese brenda standardeve të cilësisë, ky institucion paralajmëron kontrolle të rrepta në shtator. Ndërkohë nga muajit tetor, standardeve të cilësisë pritet t’i nënshtrohet edhe gazi i lëngshëm.

https://a2news.com/2019/08/21/bllokohen-550-tone-karburant-ne-rafinerine-e-ballshit/

“Do të kontrollohen të gjitha depozitat e tregtimit me shumicë në të gjithë territorin. Do të vijojnë kontrolle edhe në vazhdimësi, me auto-laboratorë të lëvizshëm, sipas radhës dhe riskut”, vijon drejtori.

Vitin e kaluar ISHTI mati 7600 kampione, nga të cilat vetëm 19 nuk përmbushnin kriteret dhe nga këto, 18 janë ndërmarrje publike. Për të shmangur abuzimet me cilësinë në tregun e pakicës, ekspertët propozojnë që nafta vendase të tregtohet pa akcizë për sektorët e peshkimit dhe bujqësisë në këtë mënyrë, askush nuk do të kishte interes që ta përziente me naftën e importit dhe ta hidhte në treg për konsum fundor për qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos