Karteli famëkeq i drogës në Meksikë kërcënon me vrasje gazetaren: Mos u trego idiote, do të të bëjmë të hash fjalët e tua

Nga A2 CNN
11 Gusht 2021, 10:39 | Bota

Një nga kartelet më të fuqishme të drogës në Meksikë ka kërcënuar me vrasje Azucena Urestin, një spikere lajmesh, duke e akuzuar për mbulim të padrejtë të historisë së tyre.

Një video e postuar në mediat sociale të hënën tregoi gjashtë persona të maskuar dhe të armatosur që pretendonin se ishin anëtarë të Kartelit të “Gjeneratës së Re Jalisco”. Ata rrethonin një burrë të ulur pas një tavoline, i cili dha një deklaratë të fortë në emër të udhëheqësit të kartelit Ruben 'El Mencho' Oseguera. 

Zëdhënësi i kartelit të maskuar kërcënoi Televizionin Milenio, për trajtimin e saj preferencial ndaj disa grupeve që kanë qenë në luftë me organizatën kriminale në shtetin Michoacan të Meksikës perëndimore.

“Por ti, Azucena Uresti, një gjë të paralajmëroj, mos u trego idiote dhe qetësohu sepse të siguroj që nëse nuk qetësohesh dhe vazhdon të më sulmosh, të siguroj se kudo që të jesh, unë do të vij për ty dhe do të të bëj të hash fjalët e tua edhe nëse më akuzojnë për vrasje sepse nuk na njeh. Unë nuk jam mbledhës i borxheve, as nuk zhvat, as nuk rrëmbej”, dëgjohet të thotë personi i armatosur.

Pavarësisht kërcënimit të frikshëm, Uresti foli gjatë lajmeve të së hënës dhe falënderoi njerëzit për mbështetjen e madhe që kishte marrë.

"Ditës i mungojnë orët për të falënderuar secilin prej atyre që sot më treguan dashurinë, solidaritetin dhe miqësinë  e tyre. Unë i vlerësoj jashtëzakonisht fjalët dhe veprimet tuaja. Faleminderit nga zemra!”, tha ajo.

Organizata kriminale ka ndikim në 23 nga 32 shtetet e Meksikës dhe ka arritur të zgjerohet përtej kufirit në 11 shtete në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Hawaiin dhe territorin amerikan të Porto Rikos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos