
Rasti Katargate rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet midis vendit të Gjirit dhe Europës. Pas vendimit për të bllokuar hyrjen e Dohas në Parlamentin Evropian, Katari paralajmëroi BE-në se "një kufizim i tillë diskriminues" mund të ketë pasoja përpara përfundimit të hetimit.
Ky vendim "do të ndikojë negativisht në bashkëpunimin rajonal dhe global dhe bisedimet e vazhdueshme për energjinë, varfërinë dhe sigurinë", tha një diplomat.
Qeveria e Katarit ka sulmuar qeverinë belge, duke e akuzuar atë për pasaktësi në informacionin e përdorur.
“Ne kundërshtojmë me forcë akuzat që lidhin qeverinë tonë me sjellje të pahijshme. Katari nuk ishte e vetmja palë e përmendur në hetime, por vendi ynë është kritikuar dhe sulmuar ekskluzivisht. Ne kemi vërejtur me shumë alarm dënimin selektiv të vendit tonë. Është thellësisht zhgënjyese që qeveria belge nuk bëri asnjë përpjekje për t'u angazhuar me qeverinë tonë në mënyrë që të vërtetojë faktet pasi u bë e ditur për akuzat", tha një diplomat nga Katari në një deklaratë.
Deklarata nënvizonte gjithashtu marrëdhëniet e ngushta të ruajtura deri më tani me Belgjikën. "Kombet tona kanë punuar së bashku gjatë pandemisë Covid-19 dhe Katari është një furnizues kryesor i GNL në Belgjikë", nënvizoi ai. (A2 Televizion)