
Kryesuesit e
kampionatit kundër kampionëve në fuqi. Kukësi, pretendent kryesor për fronin
kërkon t’i japë Partizanit goditjen që do të peshojë shumë në llogaritë finale
të sezonit. Fitorja kërkohet për të hedhur pas krahëve barazimin zhgënjyes në
Gjirokastër.
“Unë jam nga ata trajnerë që i pranoj të treja rezultatet. Futbolli nuk ka asnjëherë siguri absolute, jo atëherë kur
diskutojnë dy skuadra rivale. Dëshira jonë është që të marrim maksimumin dhe ta
fitojmë ndeshjen, por siç thashë unë e pranoj çdo rezultat në fushën e lojës”,
u shpreh trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro.
Ndërsa kapiteni i skuadrës kuksiane, Besar Musolli deklaroi se shpreson që ekipi të luajë mirë në këtë ndeshje dhe të marrë një rezultat pozitiv.
Partizani synon të ngushtojë diferencën me kryesuesit, me të kuqtë që duhet të reagojnë pas humbjes me Skënderbeun. Goditjes psikologjike i shtohen edhe mungesat e disa titullarëve, nga Telushi e Broja, te Melo dhe Boldor. Megjithatë, trajneri nuk stepet të flasë për objektivin e vetëm.
“Synimi është që të fitojmë gjithmonë, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë apo mungesave. Skuadra do të bëjë të më mirën për të marrë tre pikët. Agresiviteti dhe intensiteti në lojë janë mënyrat për të vendosur në vështirësi çdo skuadër. Kërkoj të luajmë si një skuadër e vërtetë, ky është lloji i futbollit që njoh”, tha trajneri i të kuqve
Kukësi-Partizani luhet këtë të diel, në orën 19:00 në stadiumin e ri kombëtar. (A2 Televizion)