Kategoria superiore, mbijetesë apo Europë, derbi i pazakontë Dinamo-Partizani

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2022, 16:26 | Futboll
Kategoria superiore, mbijetesë apo Europë, derbi i pazakontë

Në fillim të sezonit, derbi i rikthyer ndërmjet Dinamos dhe Partizanit cilësohej një sfidë pretendentësh. Tani që ka kaluar gjysma e kampionatit, blutë janë në luftë për mbijetesë, teksa të kuqtë synojnë t’i afrohen garës për një biletë europiane. Në katër sfidat e këtij sezoni mes kampionatit dhe Kupës, Dinamo nuk ka fituar në asnjë rast, duke regjistruar vetëm barazime kur ishte ekip pritës.

“Kemi qenë mirë nga ana psikologjike, gjë që është shumë e rëndësishme në një ndeshje të vështirë si kjo kundër Partizanit. Kampionati është bërë shumë i egër, dhe na pret një betejë e vërtetë. Un besoj që jemi gati. Shpresojmë të kemi fat dhe të vijë fitorja e parë edhe për mua si trajner, por dhe kundër Partizanit”, shprehet trajner i Dinamos, Bledar Devolli.        

“Në ndeshjet e Superligës nuk mund të hysh si favorit, sepse e tregoi java e kaluar ku Tirana humbi me skuadrën e fundit. Ne luajmë çdo javë për fitore. Duke injektuar mentalitetin tek lojtarët, që duhet të respektojmë një ndër fanellat më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Duhet të futemi për fitore, por këtë duhet ta bëjmë jo vetëm nëpërmjet një loje të mirë ,por dhe duke dominuar kundërshtarin”, thotë trajneri i Partizanit Dritan Mehmeti.     

Këtë të premte, Skënderbeu i vendit të fundit pret Vllazninë. Sfida vlen tre pikë, si për korçarët, ashtu edhe për shkodranët që shpresojnë t’i afrohen kreut.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit, ku më tepër se kurrë na duhen pikët se loja e mirë. Besoj se qëllimi kryesor për ne kur të hymë në fushën e lojës është marrja e pikëve maksimale”, shprehet trajneri i Skënderbeut Memelli.

Është një ndeshje të cilën e kemi vlerësuar maksimalisht. Skënderbeu është në vështirësi, por pikërisht për këtë arsye do të luajmë më fort dhe duhet të jemi të mirëorganizuar për t’i përballuar me sukses. Nuk do të jem vetë në stol, më vjen keq për atë që ndodhi dhe sjellja ime duhet të jetë më emirë se në ndeshjen e fundit. Por, ekipi është përgatitur dhe kam besim te trajneri Plori që do ta ketë situatën nën kontroll, deklaron Thomas Brdarić, trajner i Vllaznisë.

Java e 22-të e Superiores vijon me sfidat e së shtunës, me duelin direkt për titull ndërmjet Tiranës dhe Laçit, me dy skuadrat që ndahen nga vetëm tre pikë në renditje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos