
Tirana shtoi edhe më tej distancën me ndjekësit në garën për titull, që tashmë duket praktikisht e mbyllur. Pas fitores 4-0 në Korçë, kundër Skënderbeut të vendit të fundit të renditjes, bardheblutë e shohin veten 16 pikë larg Laçit dhe 18 pikë larg Kukësit.
Të dy ndjekëset nuk arritën të fitonin takimet respektive të shtunën, duke ia bërë edhe më të lehtë gjërat kryeqytetasve.
Serinë e golave e hapi në të 37’ Xhixha, i cili përfitoi më së miri nga pasimi i Seferit, pasi ky i fundit dhuroi spektakël në zonë.
Me ndeshjen nën kontroll dhe asnjë rrezik nga ana e korçarëve, që tashmë e kanë “prerë biletën” për të luajtur në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, bardheblutë shënuan edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë, brenda 7 minutash, me Totre dhe adoleshentin Nikqi.
Në të 61’ Xhixha dha pasimin e fundit për Totren, i cili në qendër e gjeti lehtësisht rrjetën. Në të 68’, vetëm 60 sekonda pasi kishte hyrë në fushë, 17-vjeçari Nikqi përfitoi më së miri nga pasimi i Seferit dhe i vetëm përballë portierit kundërshtar, nuk gaboi.
Në minutat e fundit, Seferi shënon edhe vetë, pas dy asisteve, përmes penalltisë, të cilën e fiton po vetë. (A2 Televizion)