
Tjetër ngjarje në Qafë Valbonë, nga ku bëhet e ditur se të paktën 4 alpinistë që po eksploronin natyrën, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur, kanë rënë në një humnerë dhe momentalisht janë bllokuar në Majën e Zhaborres ose të Brijasit.
Alpinistët kanë arritur të kërkojnë ndihmë, jo vetëm sepse relievi është mjaft i vështirë, por edhe sepse mësohet se të paktën njëri prej tyre ishte i lënduar.
Alpinistët kërkuan ndihmë nga policia dhe banorët e zonës, ndërsa mësohet se efektivët janë nisur drejt vendngjarjes.
Deklarata e Policisë
Rreth orës 18:00, jemi njoftuar se në zonën e Valbonës, 2 shtetas (bashkëshortë / aplinistë), duke eksploruar zonën, për shkak të terrenit të thepisur, janë bllokuar dhe nga informacionet paraprake, njëri prej tyre është dëmtuar dhe në pamundësi për të lëvizur.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur në drejtim të zonës ku dyshohet se janë bllokuar alpinistët.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së turistëve nga zona që mund të përshkohet me automjete, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasit e dëmtuar.
Nga informacionet e deritanishme, 2 alpinistët e bllokuar po asistohen edhe nga 2 shtetas të tjerë (alpinistë), të cilët po eksploronin gjithashtu zonën e Valbonës. (A2 Televizion)