
Partia Demokratike, nëpërmjet Belind Këlliçit, ka reaguar sërish për përgjimet e antimafias italiane, të publikuara ditët e fundit në disa media.
“Përgjimet e anti-mafies italiane e zhveshin Erion Veliajn nga propaganda e blerë shtrenjtë me paratë tona, duke e nxjerrë një politikan të rrezikshëm për vendin dhe thellësisht të korruptuar. Antonio Gallo, sekser kyç i hetimit të antimafias italiane për zbulimin e bashkëpunimit mes Politikës-Mafias-Biznesit, shprehej gjatë bisedave të përgjuara se në Shqipëri rregullat e lojës ishin të qarta, kryeministri merr 20% e tenderave dhe koncensioneve, ndërsa zari i tij, Erion Veliaj, do 20% e fitimit që të firmosë lejet e ndërtimit. Prandaj nuk ndalet Rama së dhëni koncensione! Prandaj nuk ndalet Erion Veliaj duke ngritur kulla. Aq sa nuk kurseu dhe Sahatin e Tiranës. Kjo është jo vetëm qeveria më e keqe e Shqipërisë, por dhe më e korruptuara”, u shpreh Këlliçi.
“Erion Veliaj faktohet nga përgjimet e antimafias si një kolektor i parasë së pistë në Tiranë. Je kapur MAT, Erion! Nuk ke ku shkon. Fërkoje duart kur dolën përgjimet për Sajmir Tahirin, por një fat edhe më i zi se i tij të pret. Jeni demaskuar nga Anti Mafia e Italisë, e një shteti themelues të Bashkimit Europian, derën e të cilit shqiptarët e kanë të mbyllur, për aq kohë sa vendi ka në krye ortakët e Ndrage'tas. Prandaj nuk afrohen investitorët e huaj në Shqipëri, sepse këtu tenderat dhe koncensionet i fiton 'Ndragheta kalabreze! I fiton krimi i organizuar, i fitojnë trafikantët e drogës. Nuk garon dot kush me Mafien, aq më tepër kur kanë kryeministrin dhe kryebashkiakun që u firmosin çdo leje; në ndërtim, shëndetësi, kudo ku shtrihen si tentakulat e oktapodit. Nuk ka konkurrencë të ndershme me Mafian. Ajo di ku troket. Aty ku ka të ngjashmit e saj. Aty ku i hapin derën, ku u rrinë "pronto, si urdhëron!" Ku u vënë përpara thelën më të madhe, qendrën e Tiranës, kundrejt ryshfetit mafioz 20 %. Këto 48 orë, Rama dhe buratini i tij kryesor kanë treguar sesa të frikësuar janë nga përgjimet, që po u nxjerrin pazaret e pista me pasuritë dhe taksat e shqiptarëve”, shtoi Këlliçi. (A2 Televizion)