
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka vendosur të përditësojë sanksionet ndaj grupit të mercenarëve “Wagner”, duke e cilësuar atë si një kërcënim që minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Me vendimin e saj, qeveria Kurti përshtati sanksionet me ato të Shteteve të Bashkuara që në janar e shpallën Wagner organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale.
“Departamenti amerikan i Thesarit më 26 janar të këtij viti ndërmori masa kufizuese ndaj grupit Wagner si një organizatë kriminale transnacionale, duke përfshirë edhe rrjetin global të Wagner-it, sektorin ushtarak të Rusisë dhe miqtë e Putinit. Këto sanksione u ndërmorën për të degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, duke sanksionuar edhe tetë individë, 16 subjekte dhe katër avionë", tha zv/kryeministri Bislimi.
Grupi Wagner është i përfshirë aktivisht në luftën në Ukrainë, por pjesëtarë të tij u raportuan se ishin pjesë e trazirave në veri të Kosovës disa muaj më parë. (A2 Televizion)