
Nga pandemia te largimi i shqiptarëve nga vendi, reforma në drejtësi, çështjet ekonomike dhe të pronës, thithja e investimeve dhe integrimi në BE, janë disa nga sfidat me të cilat përballet Partia Socialiste në këtë mandat të tretë qeverisës. Kështu u shpreh ish-ministrja e Jashtme Arta Dade në studion e Absolut 4 në A2 CNN, duke folur për 100 ditët e qeverisjes së mazhorancës.
“Ka vështirësi të panumërta, janë sfida që vështirë të përmbushen se janë sfida globale si; pandemia, çështjet ekonomike, por edhe disa probleme si tërmeti dhe sfida tjetër sesi do të bindin shqiptarët të mos largohen nga vendi dhe ta shohin të ardhmen këtu. Reforma në drejtësi të urojmë që të përmbushet, se është ende larg pritshmërive që patëm, thithja e investimeve, çështja e pronës, që janë në rreth vicioz, duhet bërë kujdes. Çështje e mprehtë edhe imazhi si në opinionin publik europian dhe vendet fqinje që duhet punë për ta përmbysur këtë imazh. Dhe të gjitha këto nuk mund të përmushen pa opozitën dhe pa angazhimin publik, si edhe integrimi në BE i shqiptarëve”.
Sipas Dades të gjitha këto sfida nuk mund të përmbushen pa bashkëpunimin edhe të opozitës, e cila theksoi ajo, po mbytet në qerthullin e saj dhe e ka lënë mazhorancën në pozita komode.
“Nuk më takon të bëj bilance, por fakti që morën mandat të tretë tregon që shqiptarët edhe pse të pakënaqur nuk kishin as alternativa të tjera. Opozita po mbytet në qerthullin e saj dhe e ka lënë mazhorancën në pozita komode”.
Ajo tha se marrja e mandatit të tretë të PS është një risi, për të cilën ishte shumë afër edhe në 2005, por kjo nuk ndodhi pasi e majta në atë kohë u përça.
“PS ka marrë një mandat të tretë është risi, ishte shumë afër mandatit të tretë në 2005 por e majta u përça në atë kohë. Por përtej entuziazmit dhe euforisë është përgjegjshmëri e madhe për PS dhe uroj të përmbushë ato sfida me të cilat është përballur me elektoratin që do të ishin në dobi të shqiptarëve. Në mandat të dytë, qeveritë pësojnë konsumin përkatës dhe nuk ndodh që të gjitha premtimet që partitë shpalosin në fushatë të përmbushen”. (A2 Televizion)