
Skenat me emigrantë të jashtëligjshëm nga vendet arabe, që kërkojnë ushqim dhe para’ nga drejtues të mjeteve, vijojnë të shihen në kryqëzimet e Tiranës.
Për të gjithë, Shqipëria është vetëm një vend tranzit në rrugëtimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Gjatë qëndrimit në vend, një pjesë e tyre shkon tek qendra pritëse në Babrru, por të tjerë strehohen ku të munden, qoftë dhe nën urat e Lanës.
Njëlloj si ky i ri nga Maroku, që kërkonte ndihmë nga kalimtarët pranë kryqëzimit “Vasil Shanto”. Ai tregon se si mbërriti në Shqipëri: “Unë do të shkoj në Malin e Zi. Nga Maroku, në Turqi, Greqi, Maqedoni dhe Shqipëri”.
Sipas tij, rrugëtimi Turqi-Shqipëri i ka marrë 86 ditë, bashkë me peripecitë nga koronavirusi dhe policia greke. “86 ditë nga Turqia në Shqipëri. Korona problem, unë pa problem”.
Burime pranë Policisë së Migracionit konfirmuan se prej dy javësh janë shpeshtuar kontrollet në kufirin e gjelbër në jug dhe juglindje të vendit. Në rastet kur vërehen grupe emingrantësh të paligjshëm, nuk lejohet kalimi i tyre në tokën shqiptare. (A2 Televizion)