
Situata në rajonin e Ballkanit perëndimor do të diskutohet sot në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
Ministrave të shteteve anëtare do t’u bashkohen edhe krerët e diplomacive nga 6 vendet e rajonit.
Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian, temat kryesore në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnjë e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vijuar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të përmbushin angazhimet e marra për të zbatuar reformat.
Ministri i Jashtëm i Suedisë Tobias Billstrom, vendi i së cilit ka kryesimin e radhës së bllokut, tha në prag të takimit se “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por se ata do të vazhdojmë të kërkojnë prej tyre përshtatje me politikën e jashtme të Unionit“.
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq-Radman, u shpreh se Kroacia mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por po ashtu kërkon që ato vende të respektojnë vlerat evropiane dhe të bashkëpunojnë në disa fusha, përfshirë edhe çështjen e emigracionit ilegal. (A2 Televizion)