
Një tërmet politik. Kështu e cilëson kryeministri Kiriakos Mitsotakis, atë qe e quan fitore e madhe e partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Greqi. Partia e tij e qendrës së djathtë, Demokracia e Re ka siguruar 41 përqind të votave, të përkthyera në146 vende në parlament, 5 më pak nga sa i duhen për të siguruar shumicën e për të qeverisur e vetme. Rivali i qendrës së Majtë, Alexis Tsipras partia e të cilit Siriza, shënoi një rezultat zhgënjyes prej vetëm 20 për qind të votave, e përgëzoi për fitoren. Mitsotakis tha se rezultati kishte treguar se grekët i kishin dhënë partisë së tij mandatin për të qeverisur e vetme, gjatë 4 viteve të ardhshme.
“Rezultatet janë vendimtare. Ato tregojnë se Demokracia e re ka aprovimin për të udhëhequr, në mënyrë të fortë dhe autonome. Kjo është ajo qe votuesit kërkuan sot, dhe e bënë në mënyrë absolute”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.
Deklarata e kryeministrit sugjeron se ai nuk do të kërkojë të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër, duke favorizuar një raund të ri zgjedhjesh në fund të qershorit në përpjekjet për të përforcuar fitoren e për të siguruar shumicën.
Duke filluar nga e hëna, presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, do t'u japë tre partive kryesore, Demokracisë së Re, Syriza-s dhe PASOK-ut socialist, tri ditë radhazi për të tentuar të formojnë një qeveri koalicioni.
Nëse të gjitha dështojnë, Sakellaropoulou do të emërojë një qeveri të përkohshme për të përgatitur zgjedhjet e reja rreth një muaj më vonë. Rezultati përfaqëson një triumf të jashtëzakonshëm për Mitsotakis, administrata e të cilit duhej të kalonte nëpër sfida si një skandal përgjimi, pandemia e COVID-19, një krizë e ekonomike dhe një aksident tragjik hekurudhor në muajin shkurt që shkaktoi zemërim publik.
Por rezultati ishte katastrofik për Syriza-n dhe udhëheqësin e saj, Alexis Tsipras, një figurë karizmatike që u ngjit në pushtet në vitin 2015, i nxitur nga pakënaqësia e votuesve me partitë e tjera dhe se si menaxhuan ato krizat e zgjatura ekonomike të shkaktuara nga kriza e borxhit në Greqi. (A2 Televizion)