
I dërguari i posaçëm i OKB dhe kreu i UNMIK, Zahir Tanin, informon sot Këshillin e Sigurimit për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe raportin e sekretarit të përgjithshëm Antonio Gutierres.
Serbia përfaqësohet në nivel të lartë, ndërsa Kosova me ambasadoren e saj në SHBA. Ky është takimi i dytë informues nga tre që janë planifikuar këtë vit.
Me rritjen e tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës, shqetësimi kryesor mbetet ruajtja e stabilitetit në Kosovë. Ashtu si në muajin shkurt, çështja dominuese pritet të jetë ajo e tarifave që qeveria e Kosovës ka vënë ndaj produkteve serbe dhe të Bosnje-Hercegovinës.
Debate pritet të zhvillohen edhe për rishikimin e rolit të UNMIK. Disa anëtarë, të tillë si Shtetet e Bashkuara, kërkojnë reduktimin e misionit, deri në mbyllje. Uashingtoni vlerëson se misioni ka staf shumë të madh dhe përdor me tepri burimet financiare, pavarësisht se përgjegjësinë e ka të kufizuar. (A2 Televizion)