Këshilli Kombëtar i Integrimit, Lleshaj e Marku: Përparim në luftën kundër krimit

Nga A2 CNN
14 Tetor 2019, 17:16 | Politikë
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Lleshaj e Marku: Përparim në

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj morën pjesë në mbledhjen e Këshillit  Kombëtar të Integrimit

Për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, Shqipëria ka bërë përparim, me shifra konkrete, për sa i përket një prej kushteve thelbësore të vendosura nga BE-ja, lufta kundër krimit të organizuar. 

Gjatë raportimit në Këshillin Kombëtar të Integrimit,  Lleshaj tha se Policia e Shtetit, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera, ka arritur të shkatërrojë disa grupe të rrezikshme kriminale, duke vënë pas hekurave krerët e tyre, por gjithsesi ministri pranon që puna vijon të  jetë në proces.

“Kemi goditur shumë organizata kriminale. Mund t’iu them që në vitin 2019, krahasuar me një vit më parë kemi një rritje me disa herë të numri të grupeve kriminale të goditura nga Policia e Shtetit. Nëse në periudhën janar-shtator 2018 janë zhvilluar 17 operacione për të njëjtën periudhë në vitin 2019 janë zhvilluar 31 operacione të mëdha. Janë 125 anëtarë grupesh kriminale të rrezikshme. Për krime të rënda janë arrestuar 4500 persona. Kemi bashkëpunuar shumë me partnerët dhe institucionet e tjera”, deklaroi Lleshaj.

Edhe për Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku, është bërë progres referuar rekomandimeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Marku përmend disa prej punëve të organit të akuzës, ndërsa flet për raportin e progresit të ligjit.

https://youtu.be/NrUm4u-X0wk

“Në zbatim të rekomandimit për përparim të mëtejshëm drejt ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare kundër grupeve të organizuara kriminale, në veprimtarinë e prokurorisë evidentohet përparim dhe rritje e numrit të hetimeve proaktive në ndjekjen penale kundër grupeve të strukturuara kriminale, duke përdorur mjetet speciale të hetimit në 64 procedime. Konkretisht në fushën e trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave, apo krimeve të tjera të rënda. Ky proces i ka shërbyer si parandalimit dhe ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të 122 personave”, tha Marku.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos