
Qeveria duket se privuar matematikisht në miratimin e nismave të këshillimit kombëtar. Ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penal së bashku me Amnistinë Fiskale kërkojnë 84 vota në parlament, numër të cilin PS-ja nuk e ka. Këtë problematikë qeveria nuk e ka me legalizimin e kanabisit, akt i cili kërkon vetëm një ligj të posaçëm me 71 vota.
Pas aprovimit që mori nga Këshillimi Kombëtar qeveria pritet të nisë ngritjen e grupeve të punës për ti materializuar në nisma konkrete. 11 çështjet që u pranuan nga qytetarët si të drejta mund të mos jenë aq të lehta për qeverinë pasi për disa prej tyre, shumica nuk ka votat e nevojshme për t’i miratuar në parlament
Të tilla janë dy nismat për ashpërsimin e dënimeve për krimet kundër personit apo heqjen e gjykimit të shkurtuar për krimet brenda familjes, që kërkojnë ndërhyrje në Kodin Penal dhe atë të Procedurës, pra të paktën 84 vota nga 77 që bën në total PS dhe PSD. Po kështu është edhe nisma që u kërkua me ngulm nga qeveria, amnistia fiskale.
Në kushtetutë është sanksionuar se ligjet për amnistitë, qofshin penale apo fiskale, kërkojnë minimalisht 3/5 e votave të parlamentit, pra 84 të tillë, shtatë më shumë se sa ka maxhoranca në sallë.
Një situatë krejt tjetër është ajo për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Bima e cila për vite me radhë dilte në fotot e avionëve të Guardia di Finanza ka një procedurë më të lehtë për tu legalizuar, me qëllim përdorimin mjekësor.
“Kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet”, thuhet në Kodin Penal.
Ky parashikim në Kodin Penal, i vendosur që në vitin 2001 ia bën më të lehtë shumicës pasi do t’i duhet të miratojë një ligj bazë I cili do të kërkonte një shumicë të thjeshtë.
Tetë çështjet e tjera janë gjithashtu të lehta matematikisht pasi mund të kalojnë qoftë me një vendim qeverie si asistenca për nënat me fëmijë të mitur, apo të mos ketë diferencim të pensionistëve që vijojnë të punojnë në pagimin e sigurimeve shoqërore. (A2 Televizion)