
Sali Berisha e quajti proces qesharak dhe antiligjor Këshillimin Kombëtar të realizuar nga qeveria, rezultatet e të cilit u publikuan një ditë më parë.
“E denoncova edhe në parlament, se agjencia e këshillimit, në mënyrë të kundërligjshme, ka angazhuar, pa autorizim të parlamentit, INSTAT-in. Është institucion që varet direkt nga parlamenti, nuk mund të prodhojë statistika pa asnjë, pa miratimin e parlamentit. Në këtë rast ka përpunuar statistika të qeverisë shqiptare, të një agjencie që nuk ka tagër për këtë. Në Shqipëri, statistikat i prodhojnë tre institucione, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe INSTAT”, tha Berisha në konferencë për mediat.
Ai paralajmëroi se institucioni statistikor europian do të reagojë ndaj asaj që ka ndodhur. “Ato janë plotësuar në zyrat e PS dhe shprehin falsitetin. Keqardhja ime është se ka nxirë INSTAT, që është partner i EUROSTAT. Ka shumë mundësi që EUROSTAT të mbajë qëndrime të dëmshme për Shqipërinë”. (A2 Televizion)