
Në nisje të nismës së këshillimit Kombëtar për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh sensibilizues. Ai u bën thirrje qytetarëve që të lënë llogoret partiake dhe të dëgjojnë më shumë njëri-tjetrin për të ardhmen e Shqipërisë.
“Është koha të nxjerrim mësimet tona nga këto 3 dekada përpjekjesh demokratike. Të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na marrin peng të ardhmen në interes të së shkuarës. Është koha të flasim si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz sesa si luftëtarë llogoresh, mllefesh e inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjojmë mendimet e idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët Shqipërinë. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin me kurriz nga llogoret partiake dhe me sytë nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë”.
Kreu i qeverisë shpjegoi edhe procedurën e Këshillimit Kombëtar, ku do të merret mendimi i gjithkujt për vendime të rëndësishme strategjike për vendin nga ekonomia e drejtësia.
“Ne shqiptarët kemi mundësi të shkojmë shumë shpejt përpara, duke dëgjuar njëri-tjetrin e menduar për njëri-tjetrin. Ju po njiheni me një nismë të re të qeverisë këshillimin kombëtar. Përmes një pyetësori, duam t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret vendimi i gjithsecilit për çështje me rëndësi strategjike për vendin, për ekonominë, drejtësinë dhe bashkëjetesën sonë. Çdokush mund të marrë një pyetësor përmes postës, të moshuarit ta dërgojnë me postë, të tjerët përmes faqes online. Të gjithë të përdorin pikat e këshillimit në çdo bashki”. (A2 Televizion)