
Pesë ditë pasi presidenti Meta njoftoi që nuk do të konsultohej me partitë politike për datën e zgjedhjeve në bashkitë pa kryetar, një tjetër informacion ka dalë sot nga institucioni i presidencës. Gazetari Ervin Koçi raporton se kreu i shtetit u ka dërguar ftesë partive politike për konsultim për të caktuar një datë për zgjedhjet vendore në 6 bashki, ftesë që nuk u ka mbërritur ende partive.
Referuar afateve kjo datë pritet të jetë ose fundjava e fundit e shkurtit ose fundjava e parë e marsit, që përputhen me afatin kohor jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë.
Ndërkohë ftesës së presidentit i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili do të jetë në orën 12:30 në Presidencë për konsultime me presidentin për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Më herët, kreu i shtetit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryeministrit Rama informcion zyrtar për të konfirmuar procedurialisht 6 bashkitë pa kryetar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vuri në dijeni Metën për tri bashki, largimi i kryetarëve të të cilave lidhej me këtë institucion, si Shkodra, Vora dhe Dibra, ndërsa për Durrësin, Lushnjën dhe Rrogozhinën, vakancat lidhen drejtpërsëdrejti me kryeministrinë.
Kreu i shtetit kishte deklaruar më herët se nuk do të konsultohej me partitë politike për caktimin e një date zgjedhjesh, ndërsa njoftoi se kishte nisur procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në bashkitë e mbetura pa kryetar. (A2 Televizion)