Kievi zgjohet mes bombave, valë intensive sulmesh ajrore, rrëzohen 18 raketa

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 11:38 | Bota
Kievi zgjohet mes bombave, valë intensive sulmesh ajrore, rrëzohen 18

Kievi u zgjua mes bombave, këtë të martë. Një breshëri sulmesh ajrore, të cilat u përshkuan si të "jashtëzakonshme në dendësi", goditën kryeqytetin në të gdhirë. Sirenat e alarmit ranë në 2 e 30 të orës lokale, në valën e tetë sulmeve që regjistrohet në Kiev gjatë këtij muaji.

Një numër i lartë shpërthimesh u dëgjuan në qendër të qytetit, teksa autoritetet njoftuan banorën me mesazhe online se mbrojtja ajrore ishte aktivizuar.

Ukraina tha se kishte rrëzuar 18 raketa mes të cilave edhe 6 hipersonike, dhe pamjet treguan mbrojtjen ajrore teksa shkatërronte shënjestrat mbi kryeqytet. Të paktën 3 vetë mbetën të plagosur në valën e sulmeve.

Kreu i forcave të armatosura ukrainase, Valerii Zaluzhny tha se Moska kishte sulmuar Kievin nga veriu, jugu dhe lindja dhe se ishin përdorur 18 raketa të lëshuara nga ajri, toka dhe deti.

Banorët u paralajmëruan të qëndronin larg dritareve pasi mbetje të raketave të rrëzuara mund të binin nga qielli.

Distrikti i Solomyansky ku përfshihet edhe aeroporti ndërkombëtar, thuhet të jetë ajo më goditura. Një zjarr shpërtheu atje, në një zonë jo rezidenciale, por që u shua më pas nga autoritetet.  

Rusia e ka përshkallëzuar fushatën e bombardimeve ajrore në prag të ofensivës së paralajmëruar të trupave ukrainase në jug të vendit.

Kievi beson se strategjia e Moskës është të tejlodhë sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit, të cilat po rezultojnë ekstremisht të suksesshme në interceptimin e shumicës së raketave dhe dronëve të lëshuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos