
Anëtari i grupit të Rithemelimit, Ivi Kaso, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës në A2 CNN, ku komentoi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, mes të cilave ankimimin e bërë në gjykatë për njohjen e ndryshimeve statutori të 11 dhjetorit dhe mbështetjen që tregoi së fundmi Yuri Kim për kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Sipas Kasos, ankimimi i bërë në gjykatë është i pavlerë, pasi pala që e ka bërë atë nuk ka qenë pjesë e procesit.
Gjithashtu, edhe caktimin e Alibeajt si kryetar të komanduar, Kaso e cilësoi nul, pasi sipas tij, kandidatura duhet të kalonte në disa etapa, përpara se të zgjidhej përkohësisht për të drejtuar PD-në.
“Dje u njohëm me ankimimin e PD-së. Kjo është një shkresë e pavlerë. PD-ja ishte pjesë e procesit e përfaqësuar nga Rithemelimi. Pjesa tjetër që ka çuar ankimimin nuk ka qenë palë. Të drejtën e ankimimit e kanë palët në proces. Nuk ka qenë në proces me asnjë cilësi proceduriale. PD-ja nuk përfaqësohet nga nënkryetari. Statuti e bën të qartë se kush e përfaqëson. Për efekt të ligjit, është sikur dikush pa asnjë lidhje me PD-në të bënte një ankim me firmën e tij. Ankimi është vulosur me vulën e vjetër, e cila është ndërruar nga Kuvendi dhe është konfirmuar me vendim gjykate. Kryetari i komanduar ekzistonte në statutin e vjetër. Sikur asgjë mos të kishte ndodhur nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe nga votimet e 6 marsit ku demokratët votuan për shkarkimin e lidershipit, përsëri me statutin e vjetër do të duhej që nënkryetari të kalonte në disa etapa proceduriale në Këshillin Kombëtar dhe nuk mund të merrem me titujt që njerëzit i vënë vetes”, tha mes të tjerash Kaso. (A2 Televizion)