Kina nuk i lejon hyrjen në vend ekipit të OBSH-së për hetimet mbi origjinën e Covid-19

Nga A2 CNN
6 Janar 2021, 12:17 | Bota
Kina nuk i lejon hyrjen në vend ekipit të OBSH-së për

Kina nuk i lejoi hyrjen ne vend ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që do të hetojë origjinën e koronavirusit. Sekretari i Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shprehu zhgënjimin e tij, ndërsa qeveria e Pekinit thotë se vonesa është një keqkuptim me vizat.

Kina i ka mohuar hyrjen në vend ekipit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që do të hetojë origjinën e Covid-19, në qytetin e Wuhanit. Dy nga anëtarët e këtij ekipi ishin në udhëtim e sipër, ndërsa OBSH-ja thotë se problemi konsistonte në disa paqartësi lidhur me vizën e tyre. Megjithatë, Kina thotë se detajet e vizitës, përfshirë datat, janë akoma duke u vendosur.

Hetimi i shumëpritur u pranua nga qeveria e Pekinit pas shumë muajve negociata me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Virusi u zbulua fillimisht në Wuhan në fund të 2019-s, me përhapjen fillestare që lidhej me një treg lokal të gjësë së gjallë.

Sekretari i Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ishte shumë i zhgënjyer nga Kina që nuk kishte finalizuar ende lejet për mbërritjen e ekipit hetues, dhe veçanërisht theksoi faktin që dy nga anëtarët kishin nisur udhëtimin e tyre, ndërsa të tjerët nuk u nisën në minutën e fundit.

“Jam siguruar që Kina po përshpejton procedurat e brendshme për të garantuar mbërritjen e tyre sa më parë”, tha kreu i OBSH.

Për këto zhvillime ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Kinës, që nënvizon se vonesa është thjesht një keqkuptim, teksa tentoi që të ulë shqetësimet e ngritura.

Ndërkohë, një ekip me ekspertë ndërkombëtarë të zgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nisur punën në mënyrë virtuale bashkë me zyrtarë të Kinës për të hetuar origjinën e koronavirusit.

Kjo erdhi në pritje të pranimit të vizave për ekipin me epidemiologë, virologë dhe ekspertë të shëndetësisë, të cilët në një mision 6-javor në Wuhan, do të ekzaminojnë prova dhe studime lidhur me prejardhjen e koronavirusit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos